Në një Kuvend Mërgimtarët dhe Përfaqesues të Bashkësisë Lokale të Ladorishtit
Schwarzenbach, 27/01/2013
Nën organizim të Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, ditën e dielë, 27 janar 2013, u zhvillua një takim i gjërë i Kryesisë me anëtarësinë e saj, ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Këshillit të Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht Xhevdet Dauti dhe Meqail Ef. Osmani, anëtar i BL-së Ladorisht.
Në këtë takim me karakter informativ u trajtuan aktivitetet e Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër, raporti financiar për vitin 2012 si dhe programi 4 vjeçar i parashikuar nga Këshilli i Bashkësisë lokale në Ladorisht, i drejtuar nga mërgimtari shumvjeçar Xhevdet Dauti, tanimë i kthyer në vendlindje.
Zylbear Dauti, Kryetar i Shoqatës së mërgimtarëve të ladorishtit në Zvicër, duke e marrë fjalën, theksoi se gjatë vitit 2012 Shoqata ka qenë shumë aktive, ka realizuar turneun tradicional në futboll, ka dhënë kontribut në zgjedhjen e Bashkësisë lokale të fshatit Ladorisht, organizoi manifestim me rastin e 68 vjetorit të Masakrës së Ladorishtit, organizoi një tubim solemn me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe së shpejti do të transmetohet edhe një dokumentar që është përgatitur me këtë rast. Kryetari i Shoqatës, Zylbear Dauti, përshëndeti Nevzat Volinën, anëtarin e ri në Kryesinë e Shoqatës dhe apeloi tek rinia ladorishtare në Zvicër që të angazhohen më shumë në aktivitetet e Shoqatës.
Një raport të detajuar financiar të Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër dha Fisnik Dauti, sekretar i Shoqatës. Ai theksoi se gjatë vitit 2012 Shoqata ka arkëtuar të ardhura nga anëtarësia, nga sposnsorë, nga mbajtja e turneut në futboll etj. Një pjesë të mjeteve Shoqata e ka shpenzuar për manifestimin kulturore, për filmin dokumentar si dhe donacion për Shoqërinë Kulturore Artistike “Valët e Liqenit”. E rëndësishme është, tha Fisnik Dauti, se saldoja momentale financiare e Shoqatës tonë është pozitive.
Meqail Ef. Osmani, anëtar i Kryesisë së Bashkësisë Lokale të Ladorishtit, para të pranishmëve bëri publik Programin katërvjeçar (2012-2016) që ka miratuar Këshilli i Bashkësisë Lokale, pas zgjedhje së Kryesisë 9 anëtarëshe. Efendi Meqaili, veprimtar i gjithanshëm i Ladorishtit, shpalosi edhe disa nga virtytet e mira të vendbanimit të lashtë, Ladorishtit, duke eveidentuar resurset natyrore dhe njerzore që ka fshati.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Lokale të fshatit Ladorisht, foli Kryetari i BL-së, Xhevdet Dauti i cili ndër të tjera theksoi: “ Kjo është një frymë e re e bashkëpunimit. Popullata në vendlindje dhe mërgimtarët këtu në Zvicër duhet të punojnë dhe veprojnë si një trup për t’i shtyrë përpara projektet e përbashkëta në favor të Ladorishtit tonë. Deri më tani ne si Kryesi e fshatit, kemi marrë disa veprime. Kemi ndërhyrë ndaj disa fenomeneve negative sidomos në fushën e ruajtjes së ambientit të pastër. Kemi ndërprerë një “rregull” të keqe për hedhjen e plehrave në çdo kohë e në çdo vend. Një ndihmesë për këto aktivitete mjedisore dhe humanitare është duke dhënë Forumi rinor i kryesuar nga hoxha i fshatit Adi Murtishi. Kryetari i BL-së Ladorisht bëri të ditur se edhe Klubi futbollistik “Flamurtari” ka filluar të riaktivizohet falë angazhimit të Bashkësisë lokale. Si Kryesi e re jemi në fillim të aktiviteteve por nëse bashkëpunojmë dhe anëtarësia paguhet nga secili mërgimtar atëhere me fondet e grumbulluara mund të realizojmë shumë projekte nga fusha e infrastrukturës, pastërtisë, sportit, kulturës, rinisë etj.
Në këtë frymë diskutoi edhe anëtari tjetër i BL-së Ladorisht Veap Ajro, i cili potencoi se aktualisht Bashkësia lokale ka gjetur edhe një partner tjetër për bashkëpunim, që është Komuna e Strugës me të cilën është vënë një komunikim i rregullt, e cila gjithashtu është e gatshme t’i ndihmojë iniciativat e BL-së dhe Shoqatës së mërgimtarëve.
Arun Kolonja, duke e marrë fjalën i njoftoi të pranishmit me punimet që janë realizuar tek varrezat fshatit.
Në pjesën e fundit të këtij Kuvendi të përbashkët, të Shoqatës së Mërgimtarëve të fshatit Ladorisht dhe Delegacionit të Kryesisë së Bashkësisë lokale të f.Ladorisht, pjesmarrësit shfrytëzuan rastin të parashtrojnë pyetje për Kryesinë e Shoqatës dhe Kryetarin e BL-së Xhevdet Dauti.
Pyetjet kishin të bënin me mënyrën e pagesës së antarësisë, ruajtjen e pyllit dhe krastës së fshatit, infrastrukturën e fshatit,ujin e pijshëm, emancipimin dhe shkollimin e fëmijëve dhe të rinjëve në mërgim, bursa për nxënës të talentuar, si të ndihmohen familjet në nevojë etj.
Disa nga aktivistët e Shoqatës apeluan tek të gjithë mërgimtarët që të paguajnë anëtarësinë, se vetëm në atë mënyrë mund t’i realizojmë projektet.
U potencua gjithashtu se mërgimtarët imamin e fshatit në Ladorisht do ta paguajnë nëpërmjet shoqatës, marrëveshje e bërë në mes Bashkësisë Lokale, Këshillit të Xhamis dhe Shoqatës së Mërgimtarëve te f Ladorisht ne Zvicër.
Në fund Kuvendi mori qëndrim që Kryesisë së Shoqatës së Mërgimtarëve të Ladorishtit në Zvicër tu bashkangjiten edhe 3 anëtarë të rinj: Rini Ajro, Blerim Shemo dhe Xhuti Kolonja.
Le t’i harrojmë gjërat që na kanë përçarë! Le të bashkohemi rreth aktiviteteve dhe projekteve që na bashkojnë e na nderojnë të gjithëve si këtu në diasporë ashtu edhe në vendlindje! Kjo ishte thirrja që karakterizoi takimin e përbashkët të Shoqatës së mërgimtarëve dhe Delegacionit të Bashkësisë lokale të f.Ladorisht.
Artikujt e fundit
Reth nesh
Shoqata ka për qëllim ta ruaj kulturën, traditën, folklorin, humanizmin, dashurin ndaj vendlindjes, respektin ndaj njëri tjetrit...